Sulmuesi shqiptar, Eros Grezda, është në qendër të vëmendjes së medieve, pasi pati përplasje me Antonio Colak, sulmuesit të Rijekës. Mediat kroate raportuan se 25-vjeçari nga Gjakova ka goditur me grusht kundërshtarin e tij dhe pamjet e publikuara sot, tregojnë qartë gjithçka.
Grezda më herët sot, reagoi për faqen zyrtare të Osijek, duke thënë: “Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave për atë që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja. Nuk është e lehtë të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të ruajmë qetësinë, sidomos kur dikush na fyen.
Kur vjen puna te fyerjet e rënda personale dhe kombëtare, qoftë si njeri, qoftë si sportist, jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese.
Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci dhe i përmbush detyrimet e mia si qytetar. I paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjitha hapat ligjorë për të mbrojtur veten dhe nderin tim.“/abcnews.al