Mesi sërish në dyshim/Rrezikon duelin në miqësoren Spanjë-Argjentinë

schedule12:11 - 27 Mars, 2018

schedule 12:11 - 27 Mars, 2018

Spanja dhe Argjentina do të luajnë sonte një duel të madh në Madrid. Sfida pritet spektakolare, por Lionel Mesi është sërish në dyshim

Pritja ishte e shkëlqyer, edhe pse në qytetin më rival. Lionel Mesi dhe Argjentina e tij patën rreth e rrotull me dhjetëra tifozë që donin me patjetër një autograf, një foto apo edhe thjesht një prekje me kampionin e madh.

Po ashtu, ylli 30-vjeçar pati edhe bezdinë e shumë gazetarëve që kishin vetëm një pyetje:

Si është për supertalentin e Barcelonës të stërvitet në kompleksin e Realit të Madridit? I sjellshëm, por i prerë, Leo refuzoi të përgjigjej, dhe u ngjit në autobus, ndërsa niste përgatitja për miqësoren e madhe kundër Spanjës, që do të luhet sonte në 21:30.

Bashkë me të, edhe kampionë të tjerë si Higuain apo Aguero, ndërsa kamerat dhe fotografët ishin të përqëndruar tek Mesi, derisa autobusi u largua.

Argjentina u stërvit në “Valdebebas”, në atë që mund të quhet “shtëpia e Kristiano Ronaldos”, dhe në stërvitje ishte edhe numri 10.

Gjithsesi, mediat spanjolle shkruajnë se Leo është në dyshim.

Vetë futbollisti nuk thotë asgjë nëse do të luajë apo jo, por flet për Kupën e Botës.

Mesi: “Gjithnjë e kemi parë kështu, si mundësinë e fundit, si shansin e fundit, dhe sot është më shumë se kurrë kështu. Është folur shumë për këtë, për presionin që kemi për të fituar Kupën e Botës. Është e vërtetë se do të bëjmë çmos, ndonëse nuk kemi shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur. Duhet që të shkojmë në Botëror për t’u kënaqur me lojën tonë dhe për të fituar”.

Trajneri Sampaoli vlerësohet si njeriu i duhur për të drejtuar një kombëtare të vështirë si Argjentina.

Skuada amerikanojugore duket më e mirë me të, po ashtu edhe Mesi, ndërsa trajneri pyetet nëse ylli i tij kryesor do të luajë apo jo.

Sampaoli: “Mesi u stërvit normalisht me grupin, pra ai mund të luajë. Nëse do të kishte pasur ndonjë problem, Leo do ta kishte thënë, ashtu siç e tha përpara ndeshjes ndaj Italisë. Por, ai është stërvitur dy ditët e fundit. Do të doja që Mesi të luante në çdo ndeshje, sepse skuadra po ndërtohet rreth tij. Ai është shumë I motivuar, ndërsa unë nuk mund t’i mësoj atij asgjë, pasi është i paarritshëm. Mesin thjesht duhet ta kuptosh. Përsa i përket Spanjës, nuk do jetë aspak e lehtë të luajmë ndaj saj, pasi është një skuadër e formuar, ndoshta më e mira në botë”.

Po Spanja si pritet të paraqitet në stadiumin “Uanda Metropolitano” të Madridit?

Në mungesë të Sergio Busketsit, trajnerit Hulen Lopetegi do t’i duhet të gjejë zgjidhje të tjera, veçse shqetësimi I tij kryesor është një tjetër.

Lopetegi: “Nuk është shumë i rëndësishëm sistemi i lojës. Do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje sa më të mirë, por problemi më u madh I yni si ekip është që jemi shumë të parashikueshëm. Gjithsesi, është një miqësore e madhe, një ndeshje që ke kënaqësi ta luash, pasi përballë është Argjentina, një skuadër e madhe dhe me lojtarë të mëdhenj. Kemi përballë një lojtar të jashtëzakonshëm si Mesi, por gjithsesi, ne mendojmë më shumë për lojën tonë, sesa për rivalin”.

Në miqësoren e fundit, Spanja barazoi 1-1 në fushën e Gjermanisë, ndërsa Argjentina mundi 2-0 Italinë në stadiumin “Etihad” të Mançesterit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!