Kryeministri Rama ka qenë ditën e sotme në Shijak sëbashku me Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ministrin Arben Ahmetaj ku ka inspektuar zonën e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit ndërkohë që ka nisur edhe operacioni i pastrimit të inerteve në sheshet e rindërtimit me mbështetjen e ushtrisë.
“ SHIJAK, një nga pikat ku ka nisur sot Operacioni i Pastrimit të inerteve në sheshet e Rindërtimit, me mbështetjen e forcave të ushtrisë
Këtë javë qeveria nis çeljen fondeve të dëmshpërblimit për familjet me dëmtime të riparueshme të shtëpive, të cilat do të mbështeten nga qeveria dhe nga ana tjetër, lidhen kontratat e para të Rindërtimit të Shkollave, për të vijuar gjatë gjithë qershorit me kontratat e investimeve në infrastruktura e zonave të dëmtuara, si edhe për Rindërtimin e Banesave Individuale
NE THEMI ATË QË BËJMË DHE BËJMË ATË QË THEMI”, shkruan Kryeministri.
Gjatë inspektimit sëbashku me kryeministrin, Ahemtaj ka njoftuar se për zonën e Shijakut do të fillohet me procesin në terren në fund të qershorit.
Ndërsa kryeministri Rama ka kërkuar nga ministrja Xhaçka që të kryhet pastrimi i inerteve në kohë rekord.
“Duhen mbledhur të gjithë forcat për ta bërë pastrimin në një kohë rekord. Është një volum gjigant por ne do ta mbështesim Ministrinë e Mbrojtjes në këtë proces dhe do të fillojmë pastaj me kantieret. Për fat të mirë jemi akoma në kohë edhe pse nuk e kishim në favor këtë periudhë. E kemi thënë që në fillim që do të mbështesim të gjithë vetëm duhet durimi”, tha kryeministri.
Ndërkohë në zonën e Shijakut janë shembur gjithsej 16 pallate të cilat u bënë të pabanueshme pas tërmetit./abcnews.al