Ka mjaftuar një intervistë e trajnerit të Atalantas, Gian Piero Gasperinit, për Gazzetta dello Sport, për të ngjallur reagimin e menjëhershëm të Valencias. Trajneri italian rrëfeu se ishte infektuar dhe kishte shfaqur simptomat e para që përpara ndeshjes së Champions League kundër Valencias.
Bergamaskët fituan të dy ndeshjet, 4-1 në “San Siro” dhe 4-3 në ndeshjen e kthimit në Spanjë. Në një komunikatë për shtyp, klubi iberik ka reaguar, duke bërë të ditur se 35% e organikës së tyre u infektua nga pandemia. “Pas deklaratave të trajnerit të Atalantas, Gian Piero Gasperini, Valencia shprehet publikisht e befasuar.
Kjo për faktin se trajneri i skuadrës rivale në fazën e 1/8-ve të Champions League, pranon se përpara ndeshjes së datës 10 mars në ‘Mestalla’ ishte i vetëdijshëm se simptomat që kishte shfaqur mund të kishin lidhje me koronavirusin, duke mos marrë masa parandaluese dhe duke rrezikuar shumë persona gjatë udhëtimit në Valencia“, lexohet në komunikatën e klubit spanjoll. /abcnews.al