Me shumë tone nacionaliste ishte pasqyrimi i mediave të Beogradit për arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç. Gazeta “Alo”, në ballinë të numrit të sotëm, shkruan: “Dramë në veri të Kosovës: Thaçi na shpalli luftë”. Ndërsa “Informer” e hap gazetën me këtë titull: “Dhunë e tmerrshme shiptare në krahinën jugore: E arrestuan Gjuriçin, paralajmërohet luftë në Kosovë”.
“Sulm nga Prishtina: Shqiptarët sulmuan në veri të Kosovës”, është titulli i “Novostit”. “Blici” ndërkaq shkruan: “Njësia Speciale ROSU arreston Gjuriçin, tensione në Kosovë”. “Sulm nga ROSU në veri të Kosovës” është titulli i “Politika”. Kurse “Srpski Telegraf” shkruan: “Ekipet Speciale shqiptare arrestuan Gjuriçin: Sulmuan serbët me bomba shoku”.
E përditshmja tjetër serbe “Danas” e hap faqen me këtë titull: “Me vendimin e autoriteteve të Kosovës që të mos lejojnë hyrjen e asnjë prej ministrave përkeqësohen raportet mes Beogradit dhe Prishtinës: Rriten tensionet në Mitrovicë, arrestohet Marko Gjuriç”. “Presidenti Vuçiç mbrëmë thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të Marko Gjuriç në Mitrovicë: bomba shoku, gaz lotsjellës dhe tyta të gjata ndaj serbëve”, nënvizon gazeta “Dnevnik”. /abcnews.al