Arrestimi i Gjuriç, Vuçiç: Pengmarrje e orkestruar nga Perëndimi

schedule22:42 - 26 Mars, 2018

schedule 22:42 - 26 Mars, 2018

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e ka cilësuar “pengmarrje” arrestimin e shefit të zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç nga policia kosovare.

Në reagimin e tij, Vuçiç e ka vlerësuar ngjarjen një “provokim brutal” dhe një “akt kriminal”, që sipas tij është kryer me urdhër të autoriteteve të Prishtinës, të ndihmuara nga shtetet perëndimore.

Në konferencën e posaçme për shtyp, Vuçiç i ka quajtur shqiptarët “terroristë” dhe ka përfshirë në episodin e verifikuar edhe EULEX-in, duke thënë se dy makina të misionit europian ndodheshin në vendin e ngjarjes.

Sa i takon Gjuriç, Presidenti serb ka saktësuar se ai do të shtrohet në spital për mjekim, pasi është keqtrajtuar nga autoritetet kosovare. Më tej Vuçiç ka paralajmëruar edhe policët serbë që morën pjesë në aksionin për arrestimin e zyrtarit, duke thënë se do të përgjigjen për veprimet e tyre.

Nuk ka munguar edhe mesazhi për Listën Serbe, të cilës kreu i shtetit i ka kërkuar që me një logjikë të ftohtë të vendosë për qëndrimin e saj në qeverinë e Kosovës. Ai ka theksuar se Beogradi nuk do të ndikojë në këtë vendim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!