Në një intervistë në ABC Neës, me gazetaren Mirela Milori, juristi Sokol Hazizaj foli për reformën zgjedhore.
Sipas Hazizaj, partitë politike kanë një sensibilitet për të qasur sistemin proporcional afër sistemit mazhoritar por që gjithsesi nuk jemi përpara një procesi të ndryshimit t sistemit.
Më tej Hazizaj u shpreh se prej vitit 2008 procesi zgjedhor nuk është pjesë e vlerësimeve të Kushtetutës por se gjithsesi është i rëndësishëm fakti se duhet vullnet politik për të respektuar votën e qytetarëve që sipas tij, prej kohësh i kanë munguar vendit.
Për Hazizajn vendosja e një kufiri hipotetik, siç ishte 31 maji për reformën zgjedhore, është e stisur dhe në thelb e kanë brenda marrëveshjen e partive politike.
“Jemi mësuar tashmë që përpara se Shqipëria të hyjë në vitin zgjedhor, partitë politike përpiqen të përmendin në fjalorin e tyre reformën zgjedhore.
Mendoj se ka një sensibilitet për ta qasur sistemin proporcional rajonal me një sistem afër sistemit mazhoritar, që është ajo me lista të hapura, por kjo nuk do të thotë që ne jemi përpara një procesi të ndryshimit të sistemit, pra nuk kemi një reformë zgjedhore por kemi përpjekje për të ndryshuar pjesërisht Kodin Zgjedhor.
Kjo përkëdhel politikën por edhe institucionet ndërkombëtare si pjesëmarrëse aktive në formatimin proceseve zgjedhore por edhe të ndryshimeve ligjore që i bëhet Kodit Zgjedhor. Ne tashmë e dimë që procesi zgjedhor prej vitit 2008 nuk është pjesë e kapitujve dhe e vlerësimeve të Kushtetutës së RSH.
Sado pak kjo përpjekje e një komisioni politik për të futur PD në institucione mendoj që do të influencojë sado pak në procesin zgjedhor.
Çfarë është e rëndësishme është vullneti politik për të respektuar votën e qytetarëve e cila ka munguar prej kohësh në vendin tonë. Vendosja e një kufiri hipotetik është e stisur dhe në thelb e kanë brenda marrëveshjen e partive politike”, u shpreh juristi./abcnews.al