Shqipëria humb ndaj Norvegjisë

schedule21:35 - 26 Mars, 2018

schedule 21:35 - 26 Mars, 2018

Kombëtarja shqiptare humbi me lojë dhe me rezultat miqësoren ndaj Norvegjisë në “Elbasan Arena”. Trajneri Panuçi nuk pati sukses në eksperimentet e veta.

Duhej të ishte një konfirmim, por pasiguria u shtua.

Skuadra më e fortë kombëtare në gati 1 vit, të paktën siç pretendoi Panuçi, ishte shumë lart edhe nivelit të saj më të zakonshëm, ndërsa pësoi një humbje brenda në shtëpi nga Norvegjia.

Në më shumë se 90 minuta në “Elbasan Arena”, shumë pak të pëlqyeshmë për t’u ndjekur, eksperimentet e trajnerit nuk patën sukses, madje ai u detyrua të ndryshonte që pas pjesës së parë.

As formacioni i hedhur në fushë, me pretendimin sulmues e me skemën 4-3-3, dhe as zëvendësimet e bëra më pas, nuk bindën, edhe pse një humbje në miqësore, padyshim që nuk mund të bëhet alarm.

Me shumë lojtarë të rinj në përbërje, ekipi përfaqësues padyshim e pati të pamundur të ishte një kolektiv i bashkuar, ndërsa në të kaluarën është shfaqur krejt ndryshe.

Shqiptarët treguan se në mot të keq e nën reshje shiu e kanë të vështirë të japin më të mirën, diçka kjo që duhet të ndryshojë medoemos.

Vetëm Eros Grezda ishte rrezik për kundërshtarët, ndonëse dhe ai pati raste që e teproi individualisht.

Norvegjia u duk më shumë skuadër sesa ne, futbollisët e saj ishin jo vetëm më të fortë fizikisht, por edhe më të shpejtë me topin dhe dilnin më lehtë në sulm.

Padyshim që Panuçi mori disa përgjigje nga kjo ndeshje, të paktën kuptoi se çfarë nuk duhet të bëjë në të ardhmen, ndërsa mbetet në dyshim nëse Shqipëria do të arrijë të luajë ndonjëherë me një skemë aq sulmuese si 4-3-3.

Miqësoret e majit do ta tregojnë më qartë, ndërsa kjo mund të quhet ndeshja më e dobët e Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit italian./abcnews.al