Dorian Tahirllari, 18-vjeçari që ëndërronte të bëhej futbollit, iku nga kjo botë pas një periudhe ku vuajti prej tumorit. Në Korçë janë në zi dhe nuk do e harrojnë, sikurse edhe shkruan klubi i Skënderbeut në rrjetet sociale.
“Nuk ia dole të rikthehesh në fushë, por do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona. Sepse ti je shpirti i luftës, sakrificës dhe dëshirës për të jetuar. Prehu në paqe Dorian!”, është mesazhi ngushëllues i Skënderbeut, që u pasua edhe nga Kukësi e Teuta.
NGUSHËLLIMET E FSHF – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të futbollistit të Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Nëpërmjet një mesazhi publik, Presidenti i Federatës tha se gjithë komuniteti i futbollit me lot në sy nderon kujtimin e këtij djaloshi, i cili ëndërronte të bëhej futbollist i njohur.
“Thellësisht i tronditur mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të futbollistit të Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Një ndarje e dhimbshme, e cila preu në një moshë të re, jetën dhe ëndrrat e tij rinore. Dua t’i përcjell familjes, ngushëllime të thella për këtë humbje të rëndë.
I gjithë komuniteti i futbollit, sot me lot në sy nderon kujtimin e këtij djaloshi të mirë që dëshironte shumë të bëhej futbollist i njohur, ndërsa sot udhëton drejt parajsës. Lamtumirë Dorian!”, është shprehur Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
POEZIA – E pashmangshme një poezi e të riut. Pak më shumë se një muaj më parë, Doriani i preku të gjithë. Fjalë zemre, të një njeriu që çdo ditë e kishte luftë. Bëri ç’mundi të realizonte ëndrrat e tij, por nuk ia doli. Sëmundja e mposhti dhe tani vendin e ka zënë pikëllimi… /abcnews.al