Zgjedhjet e KOKSH, Bezhani “driblon” ndërkombëtarët

schedule18:37 - 30 Maj, 2020

schedule 18:37 - 30 Maj, 2020

Olimpizmi shqiptar vijon të mbetet një tallava e madhe, edhe pas një asambleje të jashtëzakonshme e cila edhe këtu, me faktorin ndërkombëtar në mes, dhe pas një insistimi e investimi të fortë të FSHF-së, ka lënë afat fundvitin që të mbyllë procesin zgjedhor. Natyrisht që pandemia spostoi planet për gjithkënd, edhe pse askush nuk pengoi Bezhanin me shokë, që edhe në kushte izolimi ti jepte avancë shkuarjes në zgjedhje me statut të ri.

Presidenti Bezhani, në këto muaj COVID, përpos një thirrjeje shterpë në Facebook për shtetin dhe qeverinë, si dhe ofrimit voluminoz për friends-at e tij të arkivit fotografik të nostalgjisë ndër vite, përfshirë edhe ato me faktorët më dinjitozë të faunës, kreu I KOKSH nuk ka hedhur asnjë hap tjetër për të vijuar punën me efektet e rezolutës së miratuar që diktonte formimin e një grupi punë (ende të paformuar), amendimet e reja statuore nga ky grup pune, ratifikimin në CIO të statutit të ri dhe më pas shkuarjen në zgjedhje. Të paktën deri tani.

Presidenti që muaj më parë tërboi dynjanë me vjedhjet e tmerrshme ne KOKSH nga sekretari Bello, tashmë ka bërë një dietro të fortë, teksa nuk është shprehur asnjë moment se çfarë do të ndodhë me llurbën aktuale të funksionimit të gjërave në KOKSH.

Për dy anëtarët e grupit të punës për statutin duhet votim asambleje që askush nuk e di kur do të bëhet. Akoma më tej, me ngritjen e grupit të punës duhet një tjetër Asamble për amendimet statuore, dhe më tej Akoma, një tjetër Asamble për Zgjedhjet në KOKSH. Dhe këto, të gjitha duhen brenda dhjetorit të këtij viti, sepse kështu ranë dakord të gjithë.

Asnjë datë, asnjë vendim, asnjë udhëzim se çdo të ndodhë. Lojërat Olimpike të Tokios të shtyra për vitin e ardhshëm nuk kanë shfuqizuar për askënd efektet e afateve kohore të rezolutës për fundin e dhjetorit.

Izolimi nga pandemia nuk mund të jetë mburojë e procedurave të zyrës, teksa futbolli realizoi një Asamble me video-konference, ndërsa presidenti i KOKSH, iniciatori për të dërrmuar korrupsionin e frikshëm të Komitetit s’ka bërë publike ende asgjë, përveç fotove të tij mbi elefant, në plazh, apo pallate sporti dhe evente sportive nder vite.

Pala-shtet nga ana tjetër nuk ishte prezente me zyrtarin hierarkik të sportit në asamblenë e jashtëzakonshme, e jo më të kujtojë institucionin që e buxheton të ndjekë hapat e post-rezolutës. Pas autogolit me kthimin mbrapsht nga Kryeministri të Amendimeve të Ligjit Për Sportin, një shpullë e madhe për mënyrën e gatuarjes së këtij drafti, sërish zyra e zv. ministrit të sporteve nuk ka indikuar asnjë udhëzim se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet e reja te federatave sportive, mandatet e të cilave kanë përfunduar.

Kjo situatë amorfe në KOKSH për post-rezolutën mund të lidhet thjesht dhe vetëm me faktin e zgjatjes së mandatit të presidentit e kryesisë, deri në lojërat e ardhshme olimpike të Tokios, duke mos përjashtuar faktin e një dakordësimi tinëzar për të shkuar në zgjedhjet e reja me statut të pandryshuar.

Ndërsa, pjesa më agresive dhe më aktive e sallës në atë asamble që nga futbolli, e deri te mundja, noti e pak të tjerë lipset të reagojnë fort për heshtjen e Bezhanit, të cilit iu kërkua dorëheqja në sallë. Por nuk e dha ai, por I akuzuari I tij I milionave të gëlltitura. Goli i Bellos do ta ndjekë pas për shumë kohë…/abcnews.al