Regjisori Shundi për aktorët pro shembjes së Teatrit: Ne jemi kundërshtarë por jo armiq

schedule23:33 - 29 Maj, 2020

schedule 23:33 - 29 Maj, 2020

Naun Shundi, një nga emrat më të njohur të Teatrit dhe kinematografisë shqiptare, ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të premteje në Provokacija ku zhvilloi një bisedë me gazetarin Mustafa Nano.

Gjatë bisedës me gazetarin Nano, Shundi reagoi përsëri në lidhje me shembjen teatrit kombëtar. Sipas tij ishte një gjest që nuk duhej bërë kurrsesi dhe se policia kishte vepruar dhunshëm madje kishte qenë e armatosur, “si të kishte përballë një organizatë terroriste, u shpreh aktori.

Më tej regjisori Shundi tha se të gjithë aktorët i ka miq, edhe ata që ishin pro prishjes së teatrit. Me ata ka vetëm kundërshtime dhe jo armiqësi, një ditë do të luajmë përsëri teatër bashkë”, tha Shundi.

“Policët erdhën me automatik sikur kishin të bënin me organizatë terroriste atje. I nxorën zvarrë artistët. Ç’ishte ky mllef i madh për ta shembur teatrin. Policët aty ishin si të droguar. Me këtë rast falënderoj të gjithë ata njerëz që morën pjesë në atë qëndresë, është historia më e bukur e një proteste civile. Por kur ndërhyn politika bëhet pis pastaj. Mendoj se politika aty ishte për kapital politik.

Strumbullari i kësaj është Edi Rama, ai përdori një taktikë jo logjike. Nuk mund të thuhet se “shih ka thënë filani që të prishet teatri”, kështu të sedërton dhe të vë në luftë me kolegun tënd. Ndërkohë që të gjithë kolegët unë i kam miq, nesër pasnesër ne do luajmë teatër prapë bashkë, unë nuk jam armiku i tyre. Në mund të jemi kundërshtarë por jo armiq”, deklaroi Shundi.

Ndërkohë Shundi foli edhe për rolet e tij në teatër me miqtë dhe aktorët me të cilët ka ndarë shumë momente të veçanta mes të cilëve veçoi rolet e luajtura me të madhin Kadri Roshi ndërsa nga femrat veçoi Violeta Manushin./abcnews.al