Dean Liço është pjesë e moshave të Lazios prej janarit të vitit të kaluar. Igli Tare beson te kualiteti i mesfushorit nga Korça. 20-vjeçari ka prekur tema të ndryshme gjatë prononcimit për “Fan Zone” në Supersport, aty ku flet për situatën aktuale, kalimin te bardhekaltrit, lojtarët e preferuar dhe ngjashmërinë me Castillejon e Milanit.
SITUATA – “Është momenti më i mirë për të gjithë. Lojtarët janë të gëzuar për ribashkimin me ekipin. Presim që kampionati të nisë sa më shpejt. Aktualisht, po stërvitem në Tropikal, në Durrës. Urdhrat i kam marrë nga babai im gjatë gjithë jetës, e kam pasur trajner tek U-17. Më kritikon më shumë se lojtarët e tjerë. Jam në pritje të kthimit te Lazio, menaxherët po flasin për rinovimin e kontratës. Shpresoj që të ndodhë sa më parë”.
LAZIO – “Drejtori i Lazios, Igli Tare me ofroi një provë te kjo skuadër, të cilën unë e fitova dhe u bëra pjesë e bardhekaltërve. Pasaporta greke? Nuk e kam marrë ende. Ky ka qenë problemi pse nuk kam mundur të luaj. Është çështje dokumentacioni, pasi të jepet më shumë mundësia”.
KONTRATA – “Shpresoj që këtë vit të rinovoj kontratën dhe të më jepet mundësia të luaj sa shpejt. Do të jap maksimumin që të arrij objektivat e mia dhe të justifikoj besimin”.
IDHUJT – “Më pëlqen Messi, mendoj se është më i miri në botë. Më ka pëlqyer shumë edhe Iniesta. Castillejo? Më thonë të gjithë se i ngjaj shumë, sidomos spanjollët që luajnë te Lazio. Shpresoj që një ditë të jem pjesë e ekipit të parë të Lazios”.
STRAKOSHA – “Jam takuar vetëm një herë me të në dhomat e zhveshjes. Më ka përshëndetur dhe e kam përshëndetur. Asgjë më tepër”. /abcnews.al