Është vetëm 24 vjeç dhe ka fituar shumë deri tani. Erblira Bici, volejbollistja e kombëtares shqiptare, gjithsesi për momentin nuk mund të mendojë për lojën dhe trofetë, por të bëjë pushim të detyrueshëm për shkak të koronavirusit.
Vajza që doli kampione e Europës me Novarën, ndodhet në Tiranë pas një peripecie të gjatë, ndërsa flet për Abc News. “Pas dy muajsh e pak, që stërvitja u ndal në Itali, qëndrova atje për gati 90 ditë. Ishte një zonë shumë e prekur. Ishte shumë e vështirë të gjeje bileta për t’u kthyer. Kur erdha qëndrova në Durrës për 14 ditë në karantinë, kurse tani ndodhem pranë familjes”.
Erblira u ndodh në qytetin e Busto Arsizios, pikërisht në Lombardi, gjatë kulmit të epidemisë. “Njësoj si ju, shikonim nga TV. Ishim të trembur. Nuk na lejohej të dilnim. Në ekipin tonë ishin dy mjekë. Më i ri punonte në spitalin e Varezes. Ai na tha që duhet ta marrim seriozisht, pasi duhet të zgjedhim kë duam që të jetojë dhe kë jo”.
Le ta lemë mënjanë virusin, dhe të flasim për aspektin sportiv. “Ishte një vit i suksesshëm. U renditëm në vendin e dytë dhe nuk pritej. Arritëm të shkonim edhe në finalen e Kupës. Tani jam pjesë e Cuneo Volley. Shpresoj të shkojë gjithçka mirë dhe të mos ketë ndërprerje të tilla”.
Njëzetekatërvjeçarja sheh dallime të mëdha të kushteve në Shqipëri, jo vetëm me Italinë, por edhe me Kosovën. “Më vjen keq ta them që ka shumë diferenca. Kampionati italian është ndër më të fortët. Ka shumë lojtare të huaja, sponsorizime dhe pallate sportesh plot.
Nëse ligji për sponsorizimet ndryshon në Shqipëri, atëherë edhe ata që sponsorizojnë do të ishin më të interesuar”. Erblira Bici e nisi volejbollin në Gramsh, e vazhdoi me Tiranën dhe Barletin për të kaluar në një nga ligat më të forta të botës, ku shpreson të qëndrojë gjatë. /abcnews.al