6 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, Thumana ende një qytet fantazmë

schedule19:30 - 26 Maj, 2020

schedule 19:30 - 26 Maj, 2020

E vetmja gjë që qëndron në këmbë, mes rrënojash edhe pas 6 muajsh në Thumanë, janë objekte të ndërtesave të shkatërruara, siç është edhe kjo derë që duket në foto.

Në rrënojat e pallateve të shembura në Thumanë,  nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-të, në kujtim të atyre që humbën janë vendosur tufa lulesh.

6 muaj pas ngjarjes tragjike në lagjen ku u shembën tre pallate është rikthyer Preng Lala.

Mëngjesin e 26 nëntorit, Prenga ndodhej në Mamurras. Edhe ai si shumë të tjerë ishte zgjuar si pasojë e dridhjeve të tokës. U nis për në Thumanë. Dikush i tregoi se një grua ishte e bllokuar në nën rrënojat e pallatit. Ai mori përsipër rrezikun, e iu drejtua që ta ndihmonte, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve të tjerë.

“I thashë një qytetari të më gjente një levë, në momentin që e mora çava murin. Kishte shumë rrezik, por një mundësi shpëtimi e shihja te shkallët e katit të dytë”, u shpreh ai.

Kjo foto është shkrepur në momentin që Prenga përpiqej të shpëtonte zonjën, e cila është gjallë fale ndërhyrjes se këtij tij.

“Janë momente shumë të vështira, sidomos kur sheh një njeri aty në gjendje të vështirë, duke vdekur. Thirrjet e saj ishin për ndihmë. Kishte frikë edhe për të bërë një gjilpërë për zemrën”,  tregon ai.

Prenga gjithashtu tregon se i ka kërkuar ndihmë policisë shqiptare, por kishte mangësi të mjeteve, pavarësisht dëshirës për të ndihmuar.

“Nuk kishte shumë policë edhe dëshira për të ndihmuar ishte e madhe, por nuk kishin mjete. Më pas erdhën forcat greke dhe kosovare, të cilët ishin të pajisur me mjetet e duhura”, u shpreh ai.

Në kujtim të viktimave Prenga është lutur e ka ndezur një qiri. Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit i mori jetën në Thumanë 24 personave.