Institucionet kulturore në vend nga tërmeti dhe pandemia janë goditur fort, duke reduktuar ndjeshëm numrin e vizitorëve. Nga ana tjetër Galeria Kombëtare nga 18 maji ka hapur dyert.
Përgjatë këtyre ditëve interesi ka qenë i ulët. Vizitorët edhe në këtë institucion nuk mund të hynë pa maskë, dhe matje të temperaturës.
Drejtuesit e institucioneve edhe këtë sezon e kanë fokusuar kalendarin artistik tek arkivi.
Ekspozita e parë pas pandemisë i dedikohet skulpturës shqiptare. 136 autorë dhe 700 vepra do të prezantohen në muajin qershor.
Veprat më përfaqësuese të Odise Paskalit, Janaq Pacos, Kristaq Ramës, Hektor Dules, Muntaz Dhramit, Afërdita Meçes apo Andrea Manos do të prezantohen të gjitha sëbashku, nën kurimin e Drejtorit të Galerisë Erzen Shkololli.
Vizitorët, mund të njihen nga afër edhe me koleksionin e pikturave dhe videove , të prezantuar në ekspozitën “Tirana Pasion” , ku emra të njohur të pikturës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare ndërthuren sëbashku në këtë ekspozitë si dhe me koleksionin “Urimet më të mira” i cili prezantohet që prej një viti në katin e 3- të.
Këtu ruhet koleksioni Kombëtar i arteve pamore, prej 5 mijë veprash të cilat datojnë nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona.
Ky koleksion përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë (1883 – 1944), një koleksion ikonash që i përket shek. XIII – XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist (1944-1990) , pavioni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar./abcnews.al