Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, Damian Gjiknuri deklaroi se janë dakordësuar për tre propozimet e opzoitës, për financimin e partive, rolin e grave dhe kohën e zgjedhjeve.
“Ramë dakord për kohën zgjedhore. Edhe për kuotën, që një në 3 emra të jetë nga gjinia femërore. Ramë dakord që të kemi financimin miks, nga para publike dhe pjesa tjetër nga donacionet private por të ulur. Qeveria ka marrë përsipër të shtojë pjesën e financimit publik. Kemi disa çështje që na ndajnë. Por përgjithësisht kapitulli i financimit ka marrë dakordësi.”, u shpreh Gjiknuri.
Po ashtu ai deklaroi se mbledhja e radhës do të jetë pas dy ditësh, të enjten.
“Vendosëm që mbledhjen e radhës ta kemi pas 2 ditësh të enjten. Këto ishin rezultatet e kësaj mbledhje dhe unë jam i kënaqur se kemi një progres. Unë them nëse punohet me intensitet mund të realizojmë marrëveshjet. Më e rëndësishme se data ka qenë vullneti politik”, tha Gjiknuri. /abcnews.al