Britani, hetim penal për vdekjen e biznesmenit rus

schedule22:21 - 22 Mars, 2018

schedule 22:21 - 22 Mars, 2018

Marrëdhëniet mes Londrës dhe Moskës, të tensionuara për shkak të helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal, pritet të acarohen më tej pasi autoritetet britanike kanë nisur një hetim penal mbi vdekjen e një biznesmeni rus.

Autoritetet në Britani kanë hapur një hetim penal mbi vdekjen e biznesmenit rus Nikolai Glushkov, pas arritjes në përfundimin se ai ishte vrarë në shtëpinë e tij në Londër. Lajmin e ka bërë të ditur një funksionar i gjykatës që mbulon zonën perëndimore të Londrës, i cili ka deklaruar se hetimet e mëparshme kanë avancuar dhe kanë hyrë në një fazë të re.

Fillimisht rrethanat e vdekjes së Glushkov ishin të paqarta, por çështja e tij u rihap pasi autopsia konstatoi se 68-vjeçari kishte vdekur për shkak të një shtrëngimi në qafë. Trupi i Glushkov u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në lagjen Nju Molden të Londrës, më 12 mars.

Hetimet mbi rastin po kryen nga seksioni i anti-terrorit të Scotland Yard për shkak të lidhjes që Glushkov kishte me disidentë rusë dhe me oligarkun Boris Berezovski, që vdiq në vitin 2013. Asokohe, Glushkov tha se dyshonte se miku i tij ishte vrarë. “Nuk besoj se Boris vdiq për shkaqe natyrale. Shumë rusë kanë vdekur”, tha ai për “The Guardian”. Berezovski ishte një kritik i njohur i presidentit Putin dhe mik me ish-agjentin e vrarë, Aleksander Litvinenko.

Rasti i tij është mes 14 vdekjeve që po rihetohen nga policia dhe shërbimi sekret pas helmimit me agjent kimik të ish-oficerit Sergei Skripal dhe së bijës në Salisburi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!