Një kishë në Berlin ka pritur sot besimtarët myslimanë për tu falur, pasi këta të fundit nuk mund të futen në xhami për të bërë lutjet e së Premtes për shkak të masave të marra për distancimin social.
Xhamia Dar Assalam në Neukolln zakonisht pret qindra myslimanë të premteve. Por aktualisht mund të pranojë vetëm deri në 50 persona në të njëjtën kohë, siç edhe lejojnë rregullat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit në Gjermani.
Gjatë muajit të agjërimit të shenjtë të Ramazanit, kisha aty pranë Marta Lutheran doli në ndihmë, duke pritur lutjet myslimane në arabisht dhe gjermanisht.
“Është diçka e mrekullueshme dhe sjell kënaqësi në muajin e Ramazanit dhe në këtë kohë krize”, ka thënë Mohamed Taha Sabry, imami i xhamisë.
“Pandemia na ka bërë një komunitet. Krizat i bashkojnë njerëzit”, shtoi ai.
“Ishte një ndjenjë e çuditshme për shkak të instrumenteve muzikore, fotografive,” tha besimtari Samer Hamdoun. “Por kur të shikoni, kur harroni detajet e vogla, kjo është Shtëpia e Zotit në fund …”, shtoi ai më tej. /abcnews.al