Agjencia ruse e lajmeve Sputnik, e njohur për qëndrimin pranë Kremlinit, shkruan se Gjermania do të propozojë shumë shpejt zyrtarisht që per pranimin e Kosovës në OKB të veprohet fillimisht sipas modelit të Palestinës.
Agjencia e lajmeve ruse pranë Kremlinit në reagimin pas miratimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Parlamentin e Kosovës e komenton atë si një fitore të Prishtinës, por që do të sjellë dhe lëshime për Beogradin. Sputnik shkruan se Gjermania i ka kërkuar Prishtinës që të ,iratojë menjëherë krijimin e asocacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, ndërsa Beogradit i kërkon që të pranojë statusin e vëzhguesit të Kosovës në OKB.
Sputnik citon burime diplomatike të saj që theksojnë se Berlini ka bindur Brukselin që të vendosë për pranimin e Kosovës në OKB, si pjesë e axhendës Prishtinë-Beograd.
Sipas asaj që shkruan më tej portal i Kremlinit, “Perëndimi ka vendosur të zgjidhë çështjen e Kosovës deri në fund të vitit dhe Gjermania ka urdhëruar Beogradin që të mos kundërshtojë më hyrjen e Kosovës në OKB. Si fillim, si anëtar me të drejta vetëm vëzhgimi dhe pastaj me të drejta të plota”.
Kjo nuk është hera e parë që është përmendur një propozim i tillë, por tani Gjermania do ta paraqesë atë zyrtarisht për herë të parë.
Sputnik i referohet ndërkaq disa qarqeve politike në Beograd, sipas të cilave, këtë propozim do ta bëjë ministri i ri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili viziton Beogradin këto ditë . Kjo vizitë bëhet një ditë para takimit të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Plani që do të ofrojnë gjermanët është modeluar duke ndjekur shembullin e Palestinës, e cila fitoi të njëjtin status në OKB në 2012, ndërsa do të bëhet anëtare e plotë sapo të arrihet një marrëveshje paqeje me Izraelin.
Ish-ambasadori serb në OKB, Pavle Jeveremoviç i tha Sputnik se vendimi për dhënien e këtij statusi nuk varet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përkundrazi duhet të mbështetet nga një shumicë prej dy të tretash në Asamblenë e Përgjithshme. Në OKB, përveç Palestinës, edhe Vatikani e ka këtë status të vëzhguesit./abcnews.al