Donald Rapo ishte një nga përforcimet e Laçit në merkaton e janarit. Mesfushori u largua mes polemikave të shumta nga Luftëtari, skuadër në të cilin luajti pesë sezone.
29-vjeçari është rikthyer të stërvitet me shokët e skuadrës ditën e djeshme dhe ka folur për Albeu.com rreth situatës, largimit nga Gjirokastra, aventurës në Kurbin dhe objektivave me bardhezinjtë.
Si i përjetuat këto ditë në karantinë dhe ku u stërvitët?
-Në fillim ishte mjaft e vështirë karantina, ne që ishim të izoluar në pallat nuk kishim ku te bënim stërvitje edhe ishte pak e vështire për një futbollist profesionist. Megjithatë, me kalimin e kohës u ambientuam me këtë situatë tepër të vështire. Mua në fakt më ka ndihmuar shumë edhe Roland Peqini që të stërvitem në kushte shtëpie.
Cila e menaxhoi më mirë sportin, FSHF apo Qeveria?
-Besoj që qeveria ka bërë një punë mjaft të mirë me Covid-19, sepse e kapi në kohë që kur doli rasti i parë edhe nuk u përhap si vendet jashtë. Por, mua nuk më takon të them kush e menaxhoi më mirë, qeveria apo FSHF.
Po zhvilloni një kampionat të mirë. Besoni fort se Laçi do të shkojë në Kupat e Evropës?
-Besoj që Laçi i ka gjitha shanset të kapë Kupat e Evropës, prandaj erdha këtu që të jap edhe unë forcën time që të kapim objektivat e klubit.
Si i keni marrëdhëniet me presidentin Pashk Laska?
-Me presidentin kam një komunikim që ka një sportist me shefin e vet.
Do të qëndroni te Laçi dhe për sezonin e ardhshëm?
-Po, do jem pjesë edhe vitin tjetër me Laçin.
Nga Luftëtari u larguat me shumë polemika. A ju vjen keq për gjendjen e ish-skuadrës ku spikatët si futbollist?
-Ashtu si erdhën gjërat në fund me Gjirokastrën, më vjen tepër keq, se kam kaluar gati 5 vite tek ai klub, që u bë si shtëpia ime e dytë. Nuk dua të flas për polemikat që kisha me drejtuesit, nuk ja vlen. Do më mungojë Gjirokastra, ishte një ambient i qetë. Me disa nga shokët e ekipit kam marrëdhënie mjaft të mira. Edhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Përveç futbollit, si e kaloni kohën e lirë?
-Kohën e lirë mundohem ta kaloj sa më shumë me të fejuarën time, me qenin tim Oscarin, plus edhe me ndonjë lojë Playstation FIFA.
Cungu njihet për karakterin e tij të fortë dhe të egër. Si është të stërvitesh nën urdhrat e tij?
-Profesor Cungu njihet për karakterin që ka, kjo na ndihmon edhe neve që çdo ditë të japim 100% në stërvitje. Ai është një nga trajnerët më të mirë që kam punuar deri më sot.
Messi apo Ronaldo?
-Normale që Messi.
Për cilën skuadër Evropiane bëni tifo?
-Bëj për Milanin, por për momentin nuk jemi aty ku ishim dikur. /abcnews.al