Trump: Dënim me vdekje për trafikantët e drogës

schedule22:47 - 19 Mars, 2018

schedule 22:47 - 19 Mars, 2018

Presidenti amerikan ka propozuar dënim kapital për trafikantët e drogës, në përpjekje për të frenuar epideminë e qetësuesve, me bazë opiumi. Në media, propozimi i Donald Trump është krahasuar me ekzekutimet e urdhëruara nga presidenti filipinas, Duterte.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që trafikantët e drogës të dënohen me vdekje, në përpjekje për të frenuar epideminë e qetësuesve që shpërndahen në tregun e zi. Trump e ka prezantuar planin e tij në një fjalim në lokalitetin Mançester, në Nju Hempshër, një nga shtetet më të prekura nga përdorimi i qetësuesve me bazë opiumi. “Nëse nuk tregohemi të ashpër ndaj trafikantëve të drogës, atëherë po çojmë kohën dëm. Dhe ashpërsia, në këtë rast, përfshin edhe dënimin me vdekje”, ka thënë Trump, i cili është pritur me brohoritje nga të pranishmit. Përdorimi i qetësuesve u mori jetën 63 mijë amerikanëve në vitin 2016, sipas shifrave të Departamentit të Shëndetësisë. Ndërkohë, rreth 2.4 milionë amerikanë vlerësohet të jenë të varur nga opiodet, një familje droge që përfshin qetësuesit dhe heroinën. “Shikojini pak vendet ku autoritetet nuk bëjnë shaka! Ato nuk kanë probleme me drogën”, ka thënë më tej Trump. Kohë më parë, presidenti amerikan vlerësoi nismën e homologut filipinas Rodrigo Duterte, i cili i bëri thirrje popullsisë që të ekzekutonte trafikantët e narkotikëve. Policia lokale deklaroi se në kuadër të fushatës ishin vrarë 4.100 të dyshuar, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se shifra është trefish më e lartë, ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka hapur një hetim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!