Një vaksinë potenciale për koronavirusin e zhvilluar në Britani tregoi shenja premtuese gjate testeve që u bënë tek majmunët. Vaksina eksperimentale e prodhuar nga ekipi i Universitetit të Oksfordit forcoi sistemin imunitar në gjashtë majmunë, pa shkaktuar efekte anësore.
Brenda 28 ditëve nga vaksinimi, të gjitha kafshët kishin antitrupa COVID-19, të prodhuara nga trupi duke fituar kështu, imunitet nga virusi. Studiuesit thanë se primatët ishin në gjendje ta luftonin virusin përpara se të depërtonte thellë në mushkëritë e tyre, ku mund të bëhet vdekjeprurës.
Rezultatet premtuese vijnë në një kohë kur ekipi i Universitetit të Oksfordit ka bërë edhe testet në njerëz dhe rezultatet priten brenda muajit.Shkencëtarët duke komentuar studimin i kanë përshkruar gjetjet si ‘shumë inkurajuese’, por paralajmërojnë se nuk garantojnë të njëjtat rezultate te njerëzit.
Në studimin e bërë mbi majmunët dhe minjtë, ata zbuluan se një dozë e vetme e vaksinimit ishte gjithashtu e efektshme në parandalimin e dëmtimit të mushkërive.
Disa nga kafshët krijuan antitrupa ndaj virusit brenda dy javësh, por të gjithë ata kishin molekula që luftojnë virusin brenda 28 ditësh. Studiuesit zbuluan se ngarkesat virale në sistemin e poshtëm të frymëmarrjes ishin ulur ndjeshëm te kafshët që u ishte bërë vaksina. /abcnews.al/