Baret mbyllur, Basha sfidon Ramën: Në tavolinë me 12 veta pa maska e pa distancë

schedule12:00 - 14 Maj, 2020

schedule 12:00 - 14 Maj, 2020

Lulzim Basha sfidon qeverinë në Durrës, duke u deklaruar përfaqësuesve të biznesit ne këtë qytet se dështimet e Ramës po u kushtojnë shumë shtrenjtë qytetarëve. Kreu demokrat mblodhi disa nga këta biznesmenë në një holl hoteli, për të diskutuar për pasojat e pandemisë në turizëm dhe në ekonomi në përgjithësi. Por të gjithë pjesëmarrësit në tryezë, harruan të ruajnë distancat apo të mbajnë maskat mbrojtëse.

Në këtë takim disa pronarë hotelesh dhe agjencish turistike kërkuan anulimin e taksave lokale deri në mars të 2021, kërkese qe u mbështet nga Basha. Sipas liderit të opozitës, sezoni turistik i këtij viti pritet të jetë i vështirë dhe me humbje të pallogaritshme për turizmin e qytetit dhe kjo për faj të qeverisë e cila, siç u shpreh  Basha keqmenaxhoi situatën e pandemisë në kurriz të shqiptarëve.

Gjatë takimeve me kreun demokrat, pronarë të bizneseve të vogla paraqiten si shqetësim vjedhjen sipas tyre nga ana e qeverisë përmes faturave afrofe të dritave dhe ujit.

“Nuk ka marrë asnjë ndihmë, kemi pasur dy goditje njëra pas tjetrës”.

Ashtu si  bizneset e vegjël të Tiranës, edhe të Durrësit shprehen se i kanë paguar taksat gjithë këto vite por nuk po marrin mbështetje nga qeveria.

“Nuk dimë asgjë për momentin, taksat e kemi paguar, edhe qiraja është paguar”, thotë një qytetar.

Sipas Liderit të opozitës, pandemia e Covid-19 e ka thelluar edhe më tej krizën ekonomike, ndërkohë që Durrësi ende nuk e ka marrë veten nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Mesazhi i Lulzim Bashës:

Në Durrësin që vuan ende pasojat e tërmetit të nëntorit, pandemia vetëm se e ka thelluar më shumë krizën ekonomike. Në rrugë dhe dyqane, qytetarët që takova më shprehën shqetësimin për mungesën e plotë të ndihmës nga qeveria Rama.

Janë të shumtë dhe në Durrës ata që nuk kanë marrë rrogën e premtuar nga qeveria. Ndërkohë që rihapja e bizneseve me fasha orare të reduktuara  veç uljes së xhiros shoqërohet dhe me faturat e larta të energjisë elektrike, tatimeve dhe taksave vendore. Përditë e më zi shohin durrsakët ndërsa sezoni turistik i këtij viti pritet të jetë i vështirë dhe me humbje të pallogaritshme për turizmin e qytetit. Familje të tëra që do të kenë më pak të ardhura për shtëpitë e tyre pasi  një nga burimet kryesore do shterrojë.

Qeveria Rama e keqmenaxhoi situatën e pandemisë në kurriz të shqiptarëve, duke favorizuar 10 oligarkët, klientë të saj.  Në Durrësin e goditur rëndë nga tërmeti dhe pandemia, Ramavirusi po i zhyt qytetarët në varfëri dhe biznesin drejt falimentimit.

/abcnews.al