Denaj në Abc News: Garancia e dytë sovrane ndihmon bizneset të rimodelohen gjatë Covid-it

schedule08:35 - 14 Maj, 2020

schedule 08:35 - 14 Maj, 2020

Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj ka shpjeguar në emisionin ABC-ja e Mëngjesit garancinë e dytë sovrane prej 15 mld lekësh të miratuar nga qeveria në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave.

Denaj tha se ndryshe nga garancia e parë sovrane e cila synonte mbështetjen e bizneseve për të paguar punonjësit, kjo paketë ka në fokus përmbushjen e kapaciteteve të tyre për të rimodeluar biznesin në kushtet e pandemisë së koronavirusit.

“Garancia sovrane fillon të lëvrohet nga fillimi i javës tjetër. Garancia e parë mbulohet me 100% garanci për bizneset që duan të paguajnë

458 biznese kanë aplikuar. Para disa ditësh aprovuam edhe një lehtësi tjetër për garancinë e parë sovrane. Menduam se ka nevojë për një stimul më shumë dhe unë kam marrë një informacion se kjo ka sjellë një interes të rritur.

Për garancinë e dytë po punojmë prej një jave.

E para kishte fokus pagesat e punonjësve brenda një biznesi. E dyta do të jetë nevoja për kapital qarkullues dhe investime. Bankat shtojnë mbi shumën tonë edhe 40%. Ka një afat 5-vjeçar dhe është e hapur për të gjithë bizneset. Është një shumë e cila do të stimulohet nga nevoja e biznesit për të pasur këtë kredi.

Në kushtet kur bizneset do të kenë nevojë për riorganizim të biznesit, një hotel për shembull për të mundësuar distancat mes krevateve dhe tavolinave dhe kjo ka kosto. Ky është instrument për të bërë një filtër për ata klientë që duan të punojnë”, tha Denaj.

Ajo deklaroi se paratë do të kthehen duke rikujtuar afatin e tolerancës për pagesën e këstit, pasi janë fond i marrë nga taksa-paguesit shqiptarë, duke e cilësuar garancinë e dytë sovrane një oksigjen në këtë kohë pandemie.

Denaj theksoi se të gjithë bizneset kanë mundësi të përfitojnë nga kjo paketë, qoftë i vogël, i mesëm apo i madh.

“Biznesi nuk duhet të vendosë kolateral sepse ajo do kthehet sepse janë para nga taksapaguesit shqiptarë.

Ne e kemi diskutuar paketat, sepse është një partner, dhe në mënyrë të vazhdueshme flasim për pikat që ndikojnë në ekonomi. Kjo paketë është oksigjen. Në 15 mld ne kontribuojmë me 60%, 40% është banka.

Garancia e parë sovrane ka një periudhë 3-mujore kur nuk paguhet kësti, ndërsa kjo ka 6 muaj.

Një biznes që ka marrë garancinë e parë, mund të përfitojë edhe nga e dyta. Kjo garanci është për të gjithë bizneset dhe nuk bën përjashtime. Bankat janë ata që bëjnë filtrin. Një klient jo i mirë i bankës nuk do e stimuloja të shkonte prapë në bankë“, tha Denaj./abcnews.al