Kërcënohet ministri grek Kotzias, i dërgohet një zarf me fishek

schedule12:10 - 17 Mars, 2018

schedule 12:10 - 17 Mars, 2018

Një fishek mitralozi i është dërguar ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, me anë të një zarfi, ku kishte dhe një letër që i referohej negociatave me Maqedoninë për çështjen e emrit. Kjo është hera e tretë, brenda një kohe të shkurtër, që Kotzias kërcënohet me jetë.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, është kërcënuar për herë të tretë në të njëjtën mënyrë. Policia greke konfirmoi se persona të panjohur ende e kanë kërcënuar me vdekje, duke i dërguar një zarf me një fishek. Mediat greke raportojnë se zarfi ka mbërritur në fillim të kësaj jave në ministrinë e Jashtme dhe përveç fishekut kishte dhe një letër, e cila i referohej negociatave, që po kryhen mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit.

E përditshmja greke “Ta Nea” shkruan se fisheku është ai i një mitralozi kundërajror, ndërsa letra është në duart e shërbimeve të sigurisë për hetimet përkatëse. Që nga fillimi i muajit Shkurt, kjo është hera e tretë që në adresë të ministrit të Jashtëm grek mbërrijnë letra kërcënuese.

E para ishte një letër që shkruante: “i kemi tre plumba për ty” dhe se çdonjëri prej plumbave i përkiste çdo pjese të hapësirës gjeografike që quhet Maqedoni.

Më pas kishte mbërritur një tjetër letër me përmbajtje ofenduese për vetë ministrin, por edhe për 300 deputetët, ku ndër të tjera thuhej se “parlamentin duhej ta merrte në kontroll ushtria”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!