Organizata Botërore e Shëndetit thotë se procesi i testimit gjatë të cilit vullnetarët infektohen qëllimisht me Covid-19, mund të përshpejtojë zhvillimin e vaksinave.
OBSH ka nxjerrë udhëzime të reja se si kjo qasje mund të justifikohet nga pikëpamja etike, pavarësisht rreziqeve të mundshme për pjesëmarrësit.
Të ashtuquajturat “prova sfide” konsiderohen një mënyrë kyçe në zhvillimin e vaksinave dhe janë përdorur edhe në rastin e malaries, tifos dhe gripit. Nëse një vullnetar sëmuret rëndë, atëherë ka trajtime të disponueshme.
Por në rastin e koronavirusit nuk është përcaktuar ende se cila do të ishte një dozë e sigurt e virusit dhe nuk ka trajtime të sakta nëse gjërat shkojnë keq. Ndaj dhe në këtë rast, një qasje e tillë ka shkaktuar polemika të mëdha.
“Ka një lloj konsensusi në rritje mes atyre që e kanë menduar seriozisht një gjë të tillë”, thotë Nir Eyal, drejtori i Qendrës së Universitetit Rutgers për Bioetikën në Nivelin e Popullsisë në SHBA.
Perspektiva e infektimit të individëve të shëndetshëm me një patogjen potencialisht vdekjeprurës mund të tingëllojë kundër logjikës, por sipas Eyal rreziku i vdekjes nga Covid-19 për dikë tek të 20-tat është rreth një në 3,000. I ngjashëm me rrezikun e dhurimit të veshkave.