Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtoren e IKMT dhe ekipe policore dhe Inspektoriatit kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme një inspektim në burimin e lumit Erzen.
Inspektimi që nisi me lumin Erzen e do të vijojë, dhe si qëllim ka që të bëhet ndërprerja e të gjitha llojeve të derdhjeve që mund të bëhët në lumenjtë e vendit.
Në një postim të bërë në Facebook, Lleshaj shkruan se “të mbrosh Shqipërinë sot nuk kërkohet të derdhësh gjak për të, thjesht të mos derdhësh mbetje mbi të.”
“Në këtë angazhim e përpjekje të madhe presim të na bashkohen edhe pushteti vendor, shoqëria civile apo partnerë të tjerë”, shkruan më tej në postimin e tij ministri i Brendshëm.
Postimi i plotë:
Të mbrosh Shqipërinë sot nuk kërkohet të derdhësh gjak për të, thjesht të mos derdhësh mbetje mbi të”
Së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtoren e IKMT dhe ekipe policore dhe Inspektoriatit zhvilluam një inspektim në burimin e lumit Erzen. Vetëm duke shkuar në burim kuptojmë mrekullinë e lumenjve. Ky inspektim që nisi me lumin Erzen e do të vijojë, ka një objektiv të qartë, të ndërpresim të gjitha llojet e derdhjeve në ta, duke i trajtuar si thesar lumenjtë, e jo më si kanal ujërash të zeza. Në këtë angazhim e përpjekje të madhe presim të na bashkohen edhe pushteti vendor, shoqëria civile apo partnerë të tjerë.
Fjala e plotë:
Kemi ardhur këtu jemi në lartësinë 1200 metra në burimin e lumit Erzen, po të shkosh më përtej këtu quhet “Pajetë”, ngaqë s’ka ujë quhet pajetë dhe uji është vetë jeta.
Para 160 vitesh, këtu në këtë burim ka qenë një studiues austriak dhe një albanolog i famshëm quhet Joan George fon Han, i cili ka shkruar edhe një libër. E ka titullin “Brigjeve të Drinit dhe Vardarit“. Libri është në shqip, “Udhëtim Brigjeve të Drinit dhe Vardarit”, dhe në atë kohë fon Han ka qenë Konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë. Imagjino se çfarë e ka sjellë atë nga Janina, konsull 1860 që s’kishte as makina, as dron, as telefon. Ka ardhur në burim të Erzenit, dhe pastaj nga burimi ka shkuar dhe ka zbritur në derdhjen e tij në Rrushkull dhe ka përshkruar gjithçka ka parë gjatë rrugës. Ka ardhur austriaku profesor, diplomat e të tjera në 1860-ën edhe ne nuk bëjmë gabim që vijmë në 2020.
Tani këtu ku jemi ky ujë pihet, ndërsa po të shkojmë në Shijak ky ujë është helm. Dhe përse shndërrohet nga ujë kristal në helm në Shijak, ne e kuptojmë vetë të gjithë.
Nuk e bën Zoti këtë punë, por e bëjmë ne dhe e bëjmë ne sepse sillemi si të papërgjegjshëm me burimet tona jetik. Në fakt ky është një jetë, prandaj i thonë “Pajetë” atje mbrapa, ngaqë nuk ka ujë. Kështu e ka emrin fshati “Pajetë”.
Qëllimi ynë është që të mundohemi të shohim mundësinë nëse mund ta mbajë këtë ujë të pastër si këtu edhe në Shijak ta kemi po kaq të pastër. Ta kemi po kaq të pastër edhe në Ndroq, edhe në Mullet, edhe poshtë deri në Rrushkull.
Po të ishte i tillë i pastër ne do të kishim një thesar, ata njerëz që banojnë në brigjet e këtij lumi të pastër, do të jetonin në brigjet e një mrekullie siç është këtu.
Në fakt ajo që ndodh është që ne bëjmë atë punën më të poshtër që mund të bëjë një njeri për natyrën edhe për jetën e vet. Që ujërat e zeza i hedhim këtu edhe e nxijmë lumin hap pas hapi, derisa kur mbërrijmë në Rrushkull është një bombë.
Ne pastaj çfarë bëjmë shkojmë dhe bëjmë plazh në Hamallaj, në Gjirin e Lalzit, se është luks i madh. Harrojmë se të gjithë ujërat e zeza që mbledh ky lum atje i sjell.
Në ato ujëra të zeza lahemi ne, po e njëjta gjë ndodh në Velipojë, po e njëjta gjë ndodh në Lezhë, në Shëngjin, në Durrës, në Seman, në Vlorë, Vjosa e të tjerë me rradhë.
Puna shtrohet si t’i mbajmë këto lumenj pastër?!
Duke qenë se Ministria e Brendshme ka marrë detyrë që të kujdeset për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit dhe të mjedisit, ne themi që do ta ndërrojmë pak qasjen. Prandaj kemi ardhur këtu sot së bashku edhe me drejtoren e IKMT-së, edhe me drejtorin e Policisë, me shefin e Komisariatit, e me të tjerë këtu.
Për ta parë këtë situatë në vend, por edhe për të dhënë një mesazh që ne duhet t’i kushtojmë jo punë, vetëm dashuri këtij lumi. Kaq gjë, nuk do asnjë punë ky. Sepse lumin e ka bërë Zoti, ne na kërkohet që vetëm të mos ta shkatërrojmë.
Si do të nisim? Do të nisim nga këtu e deri kur të mbërrijmë në Rrushkull.
Do t’i bashkojmë forcat të gjithë, në radhë të parë, ne që jemi këtu, RENEA, FNSH, Policia e Shtetit, IKMT, e para, për t’i bërë një fotografim milimetrik çdo skaji, çdo guri, deri në fund dhe të dimë që gjendja është kjo! Pastaj të fillojmë nga lart, poshtë për ta pastruar.
Se ne themi dashuri për atdheun, e fjalë të mëdha, japim jetën e gjakun; s’kemi nevojë të japim asgjë, vetëm mos ta bëjmë pis, këtë duhet, kaq!
Po arritëm të bëjmë këtë lumë si model, që është më i vogli, më i thjeshti, nesër mund të themi, do t’i hyjmë lumit të Shkumbinit, apo Devollit, Semanit, Osumit e me radhë, Matit, Drinit, por të bëjmë një model. Sepse të gjithë fëmijët tanë bëjnë plazh, lahen në ujërat e detit Adriatik. Por në ujërat e detit Adritik dergjen gjithë lumenjtë e Shqipërisë, të cilët mandej ju e dini se çfarë uji përmbajnë. Dhe kjo është sfida.