Pagat janë një problem i madh në klubet e Superiores. Sindikata e Futbollistëve Profesionistë ka pasur një takim ditën e sotme dhe përmes një deklarate tregon hapur situatën aktuale që po kalojnë futbollistët. “Sot u zhvillua një takim me futbollistët të ekipeve të Kategorisë Superiore, me të cilët u diskutuan problemet që kanë sot futbollistet shqiptarë.
Në të gjitha diskutimet problematika kryesore ishte ajo e mos pagimit të pagave, situatë e cila nuk ka lindur gjatë periudhës së pandemisë, por që është rënduar më shumë në periudhën e pandemisë. Nga futbollistët jemi venë në dijeni se prej disa muajsh nuk paguhen,ndërsa në këtë periudhë mosdhënien e pagave presidentet e kanë justifikuar me problemin e pandemisë.
Në këtë takim u vendos që prioriteti kryesore i futbollistëve shqiptar do të jetë nënshkrimi i kontratës kolektive midis FSHF dhe Sindikatës, me qëllim që problemet e konstatuara në këtë mbledhje të marrin zgjidhje një herë e përgjithmonë. Për këtë arsye u përcaktua një kalendar veprimi, si dhe hapat gradualë që do të ndërmarrë Sindikata për realizimin e objektivit të saj”, shkruan SFPSH pas mbledhjes. /abcnews.al