Kartelet meksikane të drogës i kanë zgjatur tentakulat e tyre në vende të tjera të Amerikës Latine. Duke dhënë alarmin, kryeprokurori i Kolumbisë ka deklaruar se këto grupe janë një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Kartelet meksikane të drogës po shtrihen edhe në vendet fqinje, duke u kthyer në kërcënim për sigurinë kombëtare të tyre. Prokurori i përgjithshëm i Kolumbisë ka dhënë alarmin për praninë e shtuar të grupeve kriminale meksikane, nga të cilat spikat karteli famëkeq i Sinaloas. Ky i fundit blen kokainën nga bandat lokale dhe e transporton atë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.
“Ne i kemi identifikuar këto grupe dhe kemi informuar qeverinë për rritjen e pranisë së tyre në vendin tonë, një prani që kërcënon sigurinë kombëtare”, ka thënë kryeprokurori Nestor Humberto Martinez.
Autoritetet kolumbiane kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për goditjen e grupeve kriminale të huaja në territorin e tyre, por duket se kanë qenë të pamjaftueshme. Vendi latin mbetet numri një në botë për prodhimin e kokainës, që llogaritet të arrijë deri në 910 tonelata në vit.
Karteli meksikan i Sinaloas ka bërë një aleancë të fortë me një grup prej 300 disidentësh të lëvizjes FARK, që vitin e kaluar u shpërbë pasi nënshkroi marrëveshjen e paqes me qeverinë kolumbiane.
Disidentët veprojnë pranë kufirit mes Kolumbisë dhe Ekuadorit, i njohur për prodhimin e narkotikëve dhe qeveria ofron 50 mijë euro për kë ndihmon në identifikimin e liderit të tyre./abcnews.al