Bayern Munchen vazhdon të negociojë me Manchester City në lidhje me Leroy Sane, që mbetet objektivi i madh i kampionëve të Gjermanisë. Klubi anglez kërkon 88 milion paund për të lënë të lirë 24-vjeçarin ofensiv të krahut të majtë, shumë që cilësohet e lartë nga Jupp Heynckes.
Ish-trajneri legjendar i skuadrës bavareze, nuk e konsideron ende një futbollist të madh gjermanin. Heynckes analizon Sane në një prononcim për Bild dhe e fton lojtarin e kombëtares gjermane të hedhë hapin e madh. “Për mendimin tim, Sane nuk ka bërë asnjë përparim për t’u bërë një lojtar i madh.
Ai është në udhëkryqin për t’u transformuar në një lojtar kalibri. Duhet të shohim nëse do të punojë fort apo do të mbetet thjesht një talent i jashtëzakonshëm. Ai duhet të jetë gati për të hedhur hapin e madh. Sinqerisht që nuk e konsideroj të arsyeshëm çmimin e kartonit të tij”, deklaron Jupp Heynckes. /abcnews.al