Është refuzuar kërkesa e dy mbrojtësve të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, për ndryshimin e trupit gjykues. Kërkesa është bërë në seancën e fundit me pretendimin se kanë gjykuar çështje të tjera të bashkëlidhura.
Kujtojmë këtu se katër seancat e mëparshme në Apelin e Posaçëm u shtynë. Tre të parat për shkak të situatës së pandemisë, ndërsa seanca e fundit, rreth një javë më parë u shty me kërkesën e avokatit të Jaeld Çelës për ndryshimin e trupës gjykuese.
Kështu, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri dhe ish- drejtori i Policisë Vlorë, Jaeld Çela do të gjykohen përfundimisht nga 3-shja Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni. Refuzimi është bërë nga Apeli i Posaçëm ndërsa seanca e radhës është caktuar në 13 maj ora 10:30.
Jaled Çela ka kërkuar përjashtimin e 3 gjyqtarëve nga gjykimi i çështjes së tij, me pretendimin se ndodhen në kushtet konfliktit të interesit për shkak se gjyqtarët kanë qenë të njëjtët që kanë gjykuar më parë çështje për të akuzuarin Moisi Habilaj.
Në vendim thuhet se gjyqtari ka dalë “në përfundimin se shkaqet e pretenduara janë të pa bazuara në ligj dhe për pasojë kërkesa e paraqitur nuk duhet të pranohet.”
Gjykata ka dalë në këtë përfundim, pasi “përballur me faktin e pretenduar për përjashtimin e gjyqtarëve , me normat si ndërkombëtare, ashtu edhe ato të brendshme që në mënyrë eksplicite parashikojnë rastet e përjashtimit, vërehet se kërkesa është e pabazuar në të drejtë.
Kështu, thuhet më tej në vendim, në referim të normave Kushtetuese, nëpërmjet parimeve të “procesit të drejtë”, zë vendin kryesor paanshmëria e gjyqtarit. /abcnews.al/