Është një nga sulmuesit më të fortë të sezonit. Timo Werner po lufton për titullin në Bundesligë, për Championsin, si dhe për “Këpucën e Artë”, ndërsa e ka të bërë të qartë se çfarë dëshiron për të ardhmen.
Sulmuesi i Leipzig, siç raportojnë mediat gjermane, dhe saktësisht tabloidi “Bild”, preferon më mirë të luajë jashtë Bundesligës, sesa të shkojë te Bayern Munchen.
“Padyshim që Bayern është një skuadër e madhe, por, nëse do të duhej të zgjidhja, për mua më tërheqëse është që të luaj jashtë Gjermanisë”, tha Werner dje. Liverpooli shihej deri tani si kandidati numër 1 për ta marrë gjermanin, por lajmet nga Anglia janë që trajneri Jurgen Klopp mund të tërhiqet nga gara.
Klubi anglez, raportohet, se nuk do të ketë mundësitë e duhura financiare për shkak të krizës së Koronavirusit, ndaj do të jetë i detyruar të ndryshojë planet.
Për të forcuar skuadrën kampione të Europës, dhe që është shumë pranë titullit në Angli, mund të duhen rreth 150 milion sterlina, pasi Klopp synonte Wernerin dhe lojtarin e Lyon, Houssem Aouar.
Kjo do të thotë se për Wernerin mund të jenë favorite klube të tjera anglezë, si Chelsea apo Manchester United. Sulmuesi i Leipzig ka shënuar 27 gola në 36 ndeshje këtë sezon, nga të cilët 21 në Bundesligë./abcnews.al