Dhjetëra gazetarë kanë vdekur në botë gjatë dy muajve të fundit për shkak të koronavirusit, sipas organizatës zvicerane PEC (Press Emblem Campaign), duke kritikuar mbrojtjen e pamjaftueshme të punonjësve të mediave, të cilët mbulojnë situatën e pandemisë, shkruan VOA.
Një ditë para Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, të dielën më 3 maj, kjo organizatë joqeveritare paralajmëron se shumë gazetarë po rrezikojnë veten gjatë krizës së COVID-19, madje disa edhe janë infektuar.
Në një njoftim për shtyp, OJQ-ja me qendër në Gjenevë, militante e mbrojtjes së gazetarëve, tha se që nga 1 marsi, ajo kishte identifikuar vdekjen nga koronavirusi të 55 gazetarëve në 23 vende.
“Gazetarët janë në rrezik të konsiderueshëm në këtë krizë, sepse ata duhet të vazhdojnë të informojnë, duke shkuar në spitale, duke intervistuar mjekë, infermierë, politikanë, specialistë, shkencëtarë, pacientë”, tha PEC.
“Në vende të ndryshme nuk u zbatuan masat e nevojshme mbrojtëse, distancimi, mbajtja e maskave, masat higjienike, karantina, veçanërisht në fillim të epidemisë”, vazhdoi ajo.
Sipas llogaritjeve të kësaj organizate, Ekuadori rezulton vendi më i prekur, me të paktën nëntë gazetarë të vdekur për shkak të virusit, i ndjekur nga SHBA-ja me tetë, Brazili me katër, pastaj Britania e Madhe dhe Spanja me nga tre./abcnews.al