Redon Xhixha ka shënuar 9 gola këtë sezon në kampionat dhe një në Kupën e Shqipërisë. Sezoni më i mirë i 21-vjeçarit kurbinas, i cili mund të përmirësojë statistikat e tij me rifillimin e kampionatit.
Sulmuesi i Laçit ka prekur disa tema të ndryshme në lidhjen direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport. Xhixha shpreson që një ditë të luajë jashtë Shqipërisë dhe është në rrugën e duhur për ta realizuar.
KOHA PA FUTBOLL – “Kjo ndalesë nuk më ka bërë keq vetëm mua, por të gjithë futbollistëve. Isha në një formë të mirë dhe po shënoja gola, por virusi na ndaloi”.
LAÇI – “Mirë do ishte të kualifikoheshim në Europa League pa luajtur, por ne të gjithë duam ta meritojmë atë në fushë. Të luash te Laçi unë kam një plus, sepse jam nga ky vend. Njerëzit më duan të gjithë dhe ndihem mirë. Laçi nuk ka objektiva të mëdha, thjesht objektiv është ndeshja e radhës”.
INTERESIMI TURK – “Ndoshta ka pasur kontakte mes klubeve, por unë nuk di gjë dhe jam informuar vetëm nëpërmjet mediave”.
KOHA E NEVOJSHME – “Kur të fillojmë stërvitjen, duhet të kemi dy javë stërvitje që ta marrim veten. Kemi dy muaj pa stërvitje, do jetë një lodhje e madhe kur të nisë kampionati”.
LARGIMI JASHTË – “Si çdo futbollist, edhe unë kam dëshirë që të luaj jashtë në një kampionat më të madh. Kur të vijnë ofertat do ulem të bisedoj me klubin, pasi kam respekt që më dhanë mundësinë të luaj me këtë ekip”. /abcnews.al