Fëmijët nën 10 vjeç mund t’i vizitojnë apo përqafojnë sërish gjyshërit e tyre pasi nuk përbëjnë asnjë lloj rreziku për të moshuarit. Kështu janë shprehur ekspertët e shëndetit në Zvicër.
Rregullat e reja të distancimit social në Zvicër tashmë parashikojnë që fëmijët e vegjël të mund të vizitojnë të afërmit e tyre të moshuar. Sipas Departamenti Federal i Shëndetit Publik në vend, ata nuk i kanë “receptorët” për t’u infektuar me koronavirusin.
Dr. Daniel Koch, drejtuesi i njësisë së sëmundjeve infektive, tha:
“Fëmijët janë rrallë të infektuar dhe nuk e kalojnë virusin. Kjo është arsyeja pse fëmijët e vegjël nuk paraqesin rrezik për pacientët me rrezikshmëri të lartë ose gjyshërit.”
Të moshuarve gjithsesi u kërkohet ende të mbajnë distancën dhe udhëzimi vlen vetëm për fëmijët nën 10 vjeç që janë të shëndetshëm. Mbledhjet masive të më shumë se pesë personave mbeten të ndaluara në vend.
Deri më tani, Zvicra numëron 29,407 të infektuar dhe 1,703 viktima të shkaktuara nga koronavirusi. /abcnews.al/