Arthur Melo, mesfushori brazilian i Barcelonës, gjatë këtyre ditëve ka qenë në qendër të vëmendjes për një kalim të mundshëm te Juventusi. Skenarë nga më të mundshmit janë publikuar nga mediat në Spanjë dhe në Itali dhe braziliani duket se është lodhur dhe ka vendosur të reagojë, duke bërë të qartë se dëshiron vetëm Barcelonën.
“Gjithmonë do të ketë spekulime, por e vërteta dhe ideja imë është shumë e qartë: opsioni i vetëm që më intereson mua është të qëndroj te Barcelona. Ndihem rehat dhe i qetë këtu ku jam. Jam shumë i lumtur dhe i jam shumë mirënjohës klubit dhe stafit teknik për besimin që kanë tek unë.
Ky është një motiv më tepër që të jem i sigurt në dëshirën time për të qëndruar në klub. Interesimet e supozuara nga klube të tjera, të mëdha, janë diçka e lakmuar nga çdo lojtar dhe gjithashtu pozitive.
Gjithsesi, në mendjen time ka vetëm diçka dhe po mendoj të luaj sa më shumë vite me Barcelonën. Personalisht jam i përqendruar në punën që duhet të bëj dhe mezi pres të rikthehem të luaj, pasi me të vërtetë dua të rritem si lojtar dhe të luftoj për sa më shumë trofe me Barcelonën”, shprehet Arthur. /abcnews.al