Tregu i këmbimit valutore është qetësuar tre javët e fundit, duke iu rikthyer gradualisht niveleve të fillimit të marsit, përpara se të niste kriza e paprecedentë e shkaktuar nga përhapja e infeksionit Covid-19, që detyroi kufizimin e lëvizjeve dhe mbylljen e shumë aktiviteteve ekonomike.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.54 lekë, me një rënie prej 0.11 lekësh në raport me ditën e mëparshme.
Në krahasim me 30 marsin, kur arriti nivelin më të lartë në dy vjet, duke u këmbyer me lekë, euro ka rënë me 7.5 lekë, ose me 5.7%.
Euro u rrit me shpejtësi pas datës 19 mars, pasi ndalimi i fluturimeve bllokoi dhe furnizimin me valutë për bankat, çka çoi në mbiçminin artificial të euros dhe valutave të tjera.
Me zgjidhjen e këtij problemi, pasi bankat arritën të siguronin transportin, tregu u qetesua dhe u shmangën dhe elementët spekulativë të vërejtura ditët e para të rritjes së euros.
Operatorët e tregut pohuan në atë kohë se rritja ishte artificiale dhe e ndikuar nga kufizimi i lëvizjeve, teksa niveli i këmbimeve valutore në treg kishte rënë ndjeshëm.
Tashmë tregu i është kthyer gradualisht normalitetit. Operatorët pohojnë se vëllimi i këmbimeve valutore vijon të jetë i ulët, për shkak të rënies së kërkesës për shumë produkte, përveçse atyre bazë. Diferenca mes shitjes dhe blerjes në agjencitë valutore ka zbritur në 0.8-1 lekë, ndërsa në ditët e luhatjeve të mëdha shkoi deri në 5 lekë.
Nga 3 janari deri në 10 mars, kursi mesatar i këmbimit të euros ishte 122.2 lekë. /monitor