Mediat serbe raportojnë se Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur një paketë prej 4 pikash që do të zgjidhë çështjen mes Serbisë dhe Kosovës. Dokumenti do t’i dorëzohet presidentit Aleksandër Vuçiç.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgatitur një paketë prej katër pikash, e cila do t’i propozohet Serbisë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga gazeta serbe “Vecernje Novosti”, që shkruan se paketa do t’i prezantohet presidentit Aleksandër Vuçiç. Sipas burimeve të kësaj media, ky dokument i hartuar në Uashington, flet edhe për statusin e Kosovës dhe mund të përcaktojë strategjinë politike të së ardhmes për Serbinë.
Në këtë tekst për Kosovën, shkruan “Vecernje Novosti”, ka punuar administrata e Donald Trump, dhe pritet të sillet nga ndihmës-sekretari i shtetit amerikan, Wess Mitchell, që viziton Ballkanin. Sipas gazetës, ky dokument i jep kompetenca më të mëdha ekzekutive Asociacionit me Shumicë Serbe në Kosovës dhe shton gjithashtu kompetenca të tjera në fushën e shëndetësisë, edukimit dhe kulturës.
Asociacioni do të jetë i lidhur me zëvendës-kryeministrin e Kosovës, i cili do të jetë nga radhët e komunitetit serb, e i cili praktikisht do të jetë udhëheqës i Asociacionit, shkruan gazeta. Ndërsa nga Beogradi pritet që të mos pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Sipas të përditshmes së Beogradit, nëse Serbia e pranon këtë paketë, ajo do të anëtarësohet në BE dhe SHBA-ja do t’i garantojë ndihmë më të madhe ekonomike dhe mbështetje diplomatike në arenën ndërkombëtare./abcnews.al