“Do e telefonoja sot”, ndahet nga jeta ish-sulmuesi i Liverpool

schedule11:40 - 28 Prill, 2020

schedule 11:40 - 28 Prill, 2020

Michael Robinson, ish-sulmuesi i Liverpool, Manchester City, Brighton dhe Osasuna është ndarë nga jeta në moshën 61-vjeçare. Prej dhjetorit të vitit 2018 ai ishte i sëmurë me kancer, sëmundje që e ka barë atë të dorëzohet. Familja e tij ka përdorur llogarinë në “Facebook” që Robinson kishte, për të njoftuar mbi vdekjen e parakohshme të tij.

“Me trishtim të thellë ju informojmë për vdekjen e Michael. Ai na lë ne një zbrazëti të madhe, por edhe kujtime të panumërta, me të njëjtën dashuri që ju ia keni treguar atij. Do jemi përjetësisht mirënjohës, që ju e bëtë këtë njeri shumë të lumtur. Ai kurrë nuk ka ecur vetëm. Faleminderit”.

Robinson ka fituar titullin kampion, kupën dhe Champions League në vitin 1984 me fanellën e Liverpool. Sulmuesi ishte pjesë e kombëtares së Irlandës. Pasi e la futbollin, ish-sulmuesi mbeti në botën e sportit, këtë herë si gazetar.

Graeme Souness, shok skuadre me Robinson te Liverpool, për Sky Sports ka thënë: “Ai ishte një mik i afërt i mi dhe ndihem shumë keq për familjen e tij. Është një ditë e trishtueshme edhe për mua. E kam telefonuar dy herë javët e fundit dhe ai ishte një njeri shumë emocional dhe nuk e ngrinte. Mbrëmë po mendoja që ta merrja sërish. Ishte vonë dhe mendova se kishte rënë të flinte gjumë herët dhe do e telefonoja sot. Tani nuk kam më asnjë shans të flas me të”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!