Zyrtarët e Bashkimit Europian kërkojnë dialog me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me tarifat e reja për importimin e çelikut dhe aluminit. Në të njëjtën kohë, Brukseli shprehet i gatshëm të aprovojë kundërmasa lidhur me taksat e vendosura nga Uashingtoni.
Pas vendimit të presidentit amerikan për taksat lidhur me importimin e çelikut dhe aluminit, objektivi parësor i Bashkimit Europian është “dialogu me Shtetet e Bashkuara”. Kështu është shprehur zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen, i cili shpjegon që BE po përgatit kundërmasa. Megjithatë ai shpreson që këto kundërmasa mos të përdoren ndonjëherë. “Nëse do të përdoren, do të jetë skenari më i keq i mundshëm”, shton zyrtari i Brukselit duke nënvizuar se BE është e gatshme të ngre çështje kundër SHBA në Organizatën Botërore të Tregtisë. “Presim që BE të trajtohet si një bllok i njëjtë, nuk mund të pranojmë që të ndahemi në kategori të ndryshme”, theksoi Katainen.
Për çështjen e tarifave të vendosura nga Trump, ka reaguar edhe kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Ajo tha se zgjidhja më e mirë për polemikat mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për taksat ndaj çelikut dhe aluminit është përjashtimi i bllokut nga këto detyrime. Më tej Merkel nënvizoi se i beson Komisionit Europian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare. Gjithashtu njoftoi se Brukseli ka prezantuar masa kundër Uashingtonit që vendet anëtare mund t’i implementojnë.
Edhe Franca ka kundërshtuar vendosjen e tarifave nga presidenti amerikan. Ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire, nënvizoi se kundërpërgjigja ndaj këtij vendimi do të jetë kolektiv. Gjithashtu paralajmëroi se një “luftë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës do të sjellë vetëm humbës”. Ndërkohë, nga ana tjetër industria Europiane e çelikut ngre shqetësimin se vendimi i SHBA-së vë në rrezik shumë vende pune. Shqetësimeve të Bashkimit Europian, u janë bashkuar edhe vende si Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Kanadaja dhe Kina. /abcnews.al