Janë mbi 100 proceset gjyqësore që gjykatat turke kanë përfunduar për të akuzuarit e grushtit të shtetit të vitit 2016, të cilat janë mbyllur me mbi 580 të dënuar me burgime të përjetshme.
Gjykatat në Turqi kanë përfunduar deri më sot 104 procese gjyqësore kundër personave të konsideruar anëtarë të organizatës terroriste FETO, e akuzuar për përgatitjen e grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Në këtë seri procesesh janë shpallur dënime me burg për 797 të pandehur, 586 prej të cilëve kanë marrë burgime të përjetshme.
Nga këta, 253 kanë marrë dënime të shumëfishta, më të lartat prej të cilave rezultojnë 31 burgime përjetë të katërfishta dhe 4 të trefishta. Mes të pandehurve që kanë marrë dënimet më të rënda janë 22 ish-gjeneralë të ushtrisë turke, 166 oficerë, 31 nënoficerë, 1 rreshter, 17 rekrutë dhe 4 inxhinierë ushtarakë. Ndërkohë, 211 të tjerë kanë marrë dënime që variojnë nga 1 deri në 20 vjet.
Vetëm këtë të enjte, një gjykatë dënoi 25 gazetarë për ndihmë në organizimin e grushtit të dështuar të shtetit. Gazetari i njohur Murat Aksoy u dënua me 25 muaj burg për akuzën se kishte ndihmuar një organizatë kriminale. Analisti dhe njëkohësisht këngëtari Atilla Tas u dënua me 37 muaj për të njëjtat akuza. Ndërkohë, 11 reporterëve të tjerë iu dhanë në tërësi 6 vjet dhe 3 muaj për pjesëmarrje në organizatë terroriste të armatosur, ndërsa 12 të tjerëve 7 vjet e 6 muaj për konsumim të së njëjtës vepër penale./abcnews.al