Kosova kërkon për talente anembanë botës dhe Zvicra është një prej vendeve ku ka shumë dardanë. Një prej tyre është edhe Orges Bunjaku, 18-vjeçari që ka debutuar me Basel dhe ka nënshkruar një kontratë profesioniste të vlefshme deri në vitin 2022.
Prestigjiozja Blick në Zvicër ka botuar një lajm dhe titulli është ky: “Kosova dëshiron të na rrëmbejë xhevahirin e Basel, Bunjakun”. Mes të tjerash, në lajm brenda thuhet se dardanët i janë afruar menaxherit të lojtarit dhe i kanë bërë një ofertë.
Nëse Bunjaku, i cili aktualisht luan për Zvicrën U19, do të pranojë ftesën e Kosovës, atëherë ai do të përfshihet në listën e përfaqësueses në EURO 2021, nëse ia del të kualifikohet. Në Serbi lajmi i Blick ka zgjuar interes.
Mondo.rs është munduar të vërë në dukje titullin e medias zvicerane dhe shkruan: “Zvicra çohet në këmbë: Kosova rrëmben përsëri futbollistin tonë”. Një artikull tipik i mediave serbe, që më tej vijon kështu:
“Skuadra përfaqësuese e ashtuquajtur Kosova ‘vodhi’ shumë lojtarë nga ekipet e tjera kombëtare ku iu dha leja nga FIFA dhe UEFA për të garuar, pasi lojtarët mund të ndryshojnë kombëtare dhe të garojnë për ta në të ardhmen. Shqipëria dhe Zvicra ishin vendet më të prekura dhe ka shumë pakënaqësi nga helvetët”. /abcnews.al