Plan gjenial: Kampionati rumun në Turqi, e organizon një “mashtrues”

schedule11:18 - 23 Prill, 2020

schedule 11:18 - 23 Prill, 2020

Rumania duket se e ka gjetur zgjidhjen për të rinisur kampionatin. Ndeshjet do të rinisin dhe Gazeta Sporturilor raporton se plani për t’u mbyllur kampionati në Turqi nuk është më një ëndërr. Është menduar që ekipet të fluturojnë drejt Turqisë dhe të stërviten për 2-3 javë dhe brenda dy muajsh kampionati të mbyllet.

Kanë mbetur edhe 8 javë kampionat dhe planifikohet që ndeshjet të nisin në qershor dhe të mbyllen në fund të korrikut, sipas udhëzimeve që UEFA ka dhënë. Futbollistët do të izolohen në hotele, në dhoma teke, që kushtojnë 40 euro nata. Vetëm për akomodimin mendohet të shpenzohen 1 milion euro, ndërkohë që po kaq do kushtojnë transporti dhe marrja e stadiumeve me qira për ndeshjet.

Problemi më i madh janë pikërisht terrenet ku do luhen ndeshjet. Ka mjaftueshëm, pasi resortet tani janë bosh dhe fusha ka plot, por ato nuk plotësojnë kushtet që Federata Rumune e Futbollit ka vendosur për impiantet ku luhen ndeshjet. Në këto kushte do të pranohej që transmetimi i ndeshjeve të mos ishte në cilësinë e duhur, për shkak të kushteve jo optimale.

Cristian Voicu është personi që ka marrë përsipër të organizojë gjithçka, një personazh i njohur në Rumani, i cili më parë është akuzuar edhe për mashtrim nga federata vendase, për shkak se nuk u organizua dy ndeshje miqësore për të cilat kishin rënë dakord. Sa i takon ligës së dytë në Rumani, ajo nuk mund të zhvillohet në Turqi, pasi klubet nuk mund ta përballojnë diçka të tillë në aspektin financiar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!