Bizneset, të cilat do të hyjnë në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, do të duhet që nga 1 Prilli të mbajnë librat e shitjes ku çdo ditë do të shënojnë të ardhurat dhe shpenzimet. Ndryshe nga sa ata veprojnë deri më sot, në kupnin tatimor që do të printojnë për blerësit çmimi duhe ttë jetë +20%, duke i shtuar tvsh-në, ndërsa deklaratën e parë te attimet duhet ta bëjnë brenda 3 muajve.
Nga 1 Prilli nuk do të ketë më kthim mbrapa. Të gjithë bizneset të cilët kryejnë xhiro deri në vlerën 2 milion lekë do të jenë pjesë e zinxhirit të tatimit mbi vlerën e shtuar. Në total 11 mijë e 300 ndërmarrje tashmë duhet të mbajnë librat e shitjes, ku do të shënojnë të ardhurat dhe shpenzimet, kasën fiskale dhe plotësimin e deklaratës së tvsh-së njëherë në 3 muaj.
Drejtoria Tatimore thotë se nuk do të ketë ndryshim për asnjë nga bizneset në pagesat e reja që ata do të bëjnë, pasi ata nuk do të paguajnë TVSH-në, por vetëm do ta shtojnë te faturat që do të presin, pasi taksa ka si target konsumatorin.
Tatimet do të mbajnë në monitorim të gjitha ndërmarrjet të cilët kërkojnë të bëjnë çregjistrimin e tyre ose pezullimin e aktivitetit për të shmangur përgjegjësinë tatimore ose futjen në skemën e TVSH-së. Javët e fundit është konstatuar një numër në rritje i bizneseve që kërkjnë mbylljen e më pas regjistrimin e aktivitetit nga persona të lidhur me ta./abcnews.al