Xhaçka për Meçollarin: Zero dokumenta kundër integritetit profesional të tij

schedule11:10 - 6 Mars, 2018

schedule 11:10 - 6 Mars, 2018

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për rreth tre orë iu përgjigj interesimit të opozitës për seancë dëgjimore lidhur me një nga anëtarët e grupit negociator të Shqipërisë në negociatat me Greqinë për detin, zotin Artur Meçollari. I akuzuar nga opozita si i papërshtatshëm për të qënë pjesë e këtij grupi, zoti Meçollari u bë objekti i bisedës së komisionit të sigurisë rreth integritetit moral dhe profesional të tij.

I përgjuar një, apo tre herë? Me çertifikatë sigurie nga NATO apo DSIK dhe a është i vetmi, apo më i miri specialist në vend? Këto ishin dilemat rreth të cilave u zhvillua tre orë seancë dëgjimore nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shefi i shtabit, Bardhyl Kollçaku dhe ai i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë e Mbrojtjes, Bardhyl Nuredini, e kërkuar nga deputetët demokratë për anëtarin e grupit negociator me shtetin Grek për detin, Artur Meçollari.

Olta Xhaçka: “Meçollari është larguar padrejtësisht nga radhët e Forcave të Armatosura, pasi nuk pranoi të firmoste për heqjen e disa bazave detare nga plani i përhapjes. Meçollari nuk pranoi t’ua jepte bazat detare, miqve dhe familjarëve të doktorit kryeministër”.

Për opozitën, fakti që Artur Meçoallari është vënë në përgjim me leje të Prokurores së Përgjithshme të kohës, Ina Rama, si dhe fakti që pas lirimit të tij nga detyra në vitin 2012, ministria e Mbrojtjes në vitin 2014 kur tashmë në krye të dikasterit ishte zonja Mimi Kodheli, nuk ka mbrojtur veten në sallën e gjyqit ku zoti Meçollari e coi me pretendimin e lirimit të padrejtë nga detyra, tregojnë qartë politizimin e këtij individi.

Deputetët diskutuan integritetin moral dhe profesional të zotit Meçollari, prej nga koha kur ishte student dhe ishte përjashtuar nga akademia e Forcave të Armatosura në moshën 18 vjeçare, me masë disiplinore për vjedhje, deri tek çertifikatat e tij të sigurisë të NATO.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, më pas sqaroi se çertifikatat e ekspozuara lëshohen nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucion varësie ky i dikasterit që ajo drejton. Ishte komenti i demokratit Myslym Murrizi, ai që ndezi gjakrat.
Edhe pse nuk i ndërroi mendjen asnjë prej deputetëve opozitarë, të cilët shprehën edhe qëllimin e kërkesës së një komisioni hetimor lidhur me këtë çështje, ministrja Xhaçka në përfundim të seancës u drejtua për një bisedë kokë më kokë./abcnews.al