Zgjedhjet në Itali, “tërmeti” populist ndihet deri në Bruksel

schedule22:45 - 5 Mars, 2018

schedule 22:45 - 5 Mars, 2018

Fitorja e figurave euro-skeptike në Itali, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini, ka trembur lidershipin e BE-së në Bruksel. Populizmi, një fenomen i harruar pas dështimeve në Austri, Francë e Holandë, ka ngritur sërish kryet.

Dridhjet e tërmetit politik në Itali janë ndjerë deri në Bruksel, duke bërë që të bien këmbanat e alarmit nga rreziku i populizmit. Nëse eurokratët do të kishin qenë më të kujdesshëm do ta kishin parë rrezikun kohë më parë dhe jo vetëm sot, kur u konkretizua me fitoret e Luigi di Maio dhe Matteo Salvini.

Pas dështimit të Marine Le Pen në Francë, Geert Wilders në Holandë dhe Partia për Liri në Austri, në Bruksel menduan se populizmi po shkonte drejt zhdukjes. Por realiteti jo gjithmonë u përmbahet skenarëve të shkruar dhe, çfarë është më e rëndësishme, populizmi ndryshon nga vendi në vend. Në Greqi, Syriza është parti e krahut të majtë, Fronti Nacional francez i djathtë, ndërsa Lëvizja 5 Yjet në Itali dihet vetëm që është një parti anti-estabilishment.

Por ajo çfarë kanë të përbashkët është se, edhe pse jo gjithmonë i fitojnë zgjedhjet, ato vazhdojnë të mbajnë një pozitë solide në skenën politike në një kohë kur partitë tradicionale gulçojnë. Formula fituese e populistëve është: çfarëdo shqetësimi të kenë votuesit, që nga emigracioni deri tek papunësia dhe Brukseli, ai apo ajo që i udhëheq do t’ua dëgjojë. Kështu, kryetari i Ligës, Matteo Salvini ka deklaruar se ndihet krenar që është populist, nëse kjo sipas tij do të thotë të jesh mes qytetarëve dhe të punosh për të adresuar hallet e tyre. Edhe Luigi di Maio, që pretendon të bëhet kryeministër, njoftoi këtë të hënë krijimin e një republike të re italiane, e cila, siç tha ai, do të jetë “republika e popullit”.

Dhe në fakt, 5 Yjet performoi në mënyrë të mrekullueshme në jug të Italisë, ku papunësia është kronike dhe votuesit ndihen të margjinalizuar e të injoruar nga Roma dhe Brukseli. Ndërsa Liga pati sukses në pjesën veriore, ku italianët ndihen të shqetësuar nga prania e emigrantëve, kryesisht atyre afrikanë që janë vendosur atje. Nuk duhet harruar fakti se përpjekjet e emigrantëve për të arritur Europën përmes Italisë kanë shqetësuar fqinjët e saj, Francën dhe Austrinë, shtete që u kanë mbyllur kufijtë refugjatëve.

Dhe në këtë situatë, pa harruar krizën ekonomike dhe cënimin e ekuilibrave në Eurozonë, italianët ndjenin se BE duhet t’i kishte ndihmuar ata më shumë. Mungesa e mbështetjes u ka hapur rrugë partive populiste që kanë një gjë të përbashkët: euro-skepticizmin. Përmes një postimi në Twitter, Marine Le Pen uroi këtë të hënë Ligën e Veriut në Itali. “Zgjedhjet ishin një kapitull i ri për Europën dhe për popullin e saj që po zgjohet”, tha Le Pen.

Por ajo që ish-liderja ekstremiste nuk uroi ishte një “Italexit” e shpejtë, ose dalja e Italisë nga BE-ja. Kjo, nisur nga eksperienca personale me “Frexit”, që dështoi dhe bëri që pritshmëritë se dalja e Britanisë nga Unioni do të shkaktonte një efekt domino kaluan në harresë. Edhe populistët në Itali, sikurse ata në Austri në zgjedhjet e fundit, u tërhoqën nga premtimet e mëparshme për të nxjerrë vendin nga zona euro. Kjo, pasi italianët duan që BE të reformohet, por jo që të zhduket. Për shumë kohë Bashkimi Europian është vetëpropaganduar me politikën për të çuar Europën tek njerëzit, por Italia është prova e gjallë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sidoqoftë, frustrimi mes votuesve italianë, por edhe atyre gjermanë tregon se është koha që Brukseli të ulet dhe të dëgjojë seriozisht shqetësimet e tyre./abcnews.al