Juventusi mund Lacion në fund

schedule09:48 - 4 Mars, 2018

schedule 09:48 - 4 Mars, 2018

Paulo Dibala i dha Juventusit një fitore të madhe ndaj Lacios në kryeqytetin e Italisë. Ylli argjentinas mposhti portierin shqiptar, Tomas Strakosha, pikërisht në sekondat e fundit
Fitore të tretë radhazi nuk pati.
Edhe një Lacio shumë e mirë nuk mund t’ia dalë gjithnjë ndaj Juventusit, ndaj edhe në stadiumin “Olimpiko” pati një dështim.
Në Superkupë kishte qenë sukses, po ashtu në Torino, kur Tomas Strakosha ruajti rezultatin duke i pritur penallti Dibalës në sekondat e fundit.
Pikërisht në sekondat e fundit, ishte argjentinasi që fitoi duelin e kësaj jave.
Goli në minutën e 93-të u dha një triumf të madh bardhezinjve, si dhe ua rriti në maksimum shanset për të fituar titullin e shtatë radhazi.
Ndeshja në kryeqytet u luajt e fortë, por jo edhe shumë e bukur.
Taktika dhe pritja e momentit të përshtatshëm bënë që ritmi të ishte I ulët dhe rastet të paktë.
Thuajse gjithçka ishte e barabartë, por me miqtë që nisën të ushtronin më shumë presion në fund.
Trajneri Alegri pati mundësi të mbështetej tek Bufon, Barxali, Kedira, Pjaniç, Dibala e Manxhukiç, që mbuluan mungesat e rëndësishme të Kielinit e Higuainit.
Lacio pagoi mungesën e përvojës përballë një ekipi me shumë eksperiencë.
Ky dështim bën që për Strakoshën dhe shokët e tij të rrezikohet kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!