Vite më parë, Samir Nasri ishte një ndër mesfushorët më të mirë në botë. Me fanellën e Arsenalit, francezi bëri performanca të shkëlqyera, duke u bërë dhe kapiten i “Topçinjve”. Ndeshjet e tij shumë të mira, i dhanë mundësinë të transferohej te Manchester City, ku fitoi dhe titullin e Premier League.
Por që nga largimi i tij nga “Etihad”, mesfushori pësoi një rënie drastike. Paraqitje për tu harruar dhe shumë probleme jashtë fushave. Te Sevilla, nuk pati sukses dhe dukej se Nasri do e mbyllte karrierën, para se ish-shoku i skuadrës, Vincent Kompany, i dha një mundësi të dytë tek Anderlecht.
Edhe te skuadra belge, Nasri nuk i ka lënë pas problemet. Kampionati në Belgjikë përfundoi, edhe pse kishte disa javë të tjera për tu luajtur, duke i dhënë titullin Club Brugge që renditej në krye me 15 pikë më shumë se ndjekësit.
Edhe pse sezoni u mbyll, klubet vazhduan të kontrollonin lojtarët e tyre, duke vendosur për çdo udhëtim të tyrin dhe duke vazhduar stërvitjen online. Megjithatë, Nasri vendosi të udhëtojë drejt Dubait dhe shkëputi çdo kontakt me klubin belg. Si pasojë, drejtuesit e Anderlecht e kanë humbur durimin dhe janë bërë gati të ndërpresin kontratën me mesfushorin francez, sapo ky i fundit të rikthehet në Belgjikë./abcnews.al