Skuadrat gjermanë kanë nisur stërvitjen dhe po përgatiten për rifillimin e kampionatit pas pezullimit që shkaktoi pandemia e koronavirusit. Në Bundesligë kanë mbetur edhe 9 javë që të mbyllet sezoni, duele që do të zhvillohen pa praninë e tifozëve.
Opsion që nuk i pëlqen aspak ultrasve të Bayern Munchen, të cilët kanë shprehur mendimin e tyre me anë të një komunikate duke theksuar se nuk është momenti për futboll. “Karantinë për futbollin, ndeshjet fantazmë nuk janë zgjidhje. Rifillimi i futbollit nuk është i justifikueshëm në këto momente.
Futbolli në Gjermani është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por nëse është raportuar për javë me radhë një vështirësi e madhe në kryerjen e testeve të koronavirusit, ideja për t’i kontrolluar futbollistët në frekuenca të larta, është thjesht absurde”, lexohet në reagimin e tifozëve. /abcnews.al