“Hej, Messi, paso tek Iniesta”, si kampionët e Kosovës “tërbuan” Flamurtarin

schedule10:18 - 18 Prill, 2020

schedule 10:18 - 18 Prill, 2020

Hysi ka qenë një klub i suksesshëm në Kosovë, por tashmë është shkrirë. Aty më parë është aktivizuar edhe Besar Musolli, i cili është kthyer në një nga lojtarët më të dashur të Kukësit dhe mban edhe shiritin e kapitenit në skuadrën verilindore.

Skuadra bardhezi kishte në përbërje edhe një sulmues si Enis Zabërgja, goleador që pati oferta edhe nga Superiorja. Gjithsesi mungoi marrëveshje me Laçin asokohe dhe ai vijon të luajë në Kosovë. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Gazeta Olle” dhe tregon një ngjarje të çuditshme të viteve më parë, në Vlorë.

“Gjatë karrierës time kam shumë rrëfime, por veçoj një si më interesanten që më ka ndodhur. Atëherë isha me skuadrën e Hysit në Vlorë, për ‘Kupën Pavarësia’. Më kujtohet që kemi hyrë në lojë, duke bërë shaka. Kur nisi ndeshja, ne lojtarët thërrisnim njëri-tjetrin me emra si Mesi, Xavi e Iniesta, me shaka.

Futbollistët e Flamurtarit mbetën të habitur dhe vetëm na shikonin se çfarë ishim duke thënë. Besoj se kanë menduar që jemi të çmendur. Në atë ndeshje luajtëm vetëm mbrapa, pra në mbrojtje. Kundërshtari nuk na bënte presion fare, duke na lejuar topin neve. Një moment, Yll Hoxha tha se u kënaqëm duke luajtur. Ajo shkaktoi të qeshura”, tregon Zabërxha. /abcnews.al